Sezoni 2024-2025 ka qenë ndoshta më i vështiri për Pep Guardiolën që prej se mori drejtimin e Manchester City-t. Një seri historike prej pesë humbjesh radhazi dhe shtatë ndeshjesh pa fitore lanë “qytetarët” jashtë Carabao Cup, larg garës për titull në Premier League dhe pranë eliminimit nga faza e grupeve të Champions League. Vetëm një merkato dimërore e fuqishme, me mbi 200 milionë sterlina të investuara, i lejoi klubit të rikthehej në rrugën e duhur dhe të siguronte kualifikimin në Champions për sezonin e ardhshëm.
Në këtë klimë të pasigurt, emri i Guardiolës ishte përmendur edhe për pankinën e Anglisë, e mbetur bosh pas largimit të Gareth Southgate. Megjithatë, FA zgjodhi Thomas Tuchel, ndërsa City i rinovoi kontratën Pep-it deri në 2027.
Tani, tekniku spanjoll ka lënë të kuptohet se mund të qëndrojë edhe më gjatë:
“Kam dy vite kontratë, ndoshta do ta zgjas edhe për dy të tjera. Nuk e di kur do të ndalem: këtë vit, pas dy vitesh apo katër. Për momentin ndihem mirë, i motivuar”, tha ai për Men in Blazers.
Guardiola ka vlerësuar edhe atmosferën brenda klubit: “Nëse qëndron dhjetë vjet në një vend, është sepse ndihesh si në shtëpi. Nuk mund të kërkoj më shumë, futbolli ka qenë shumë bujar me mua”.
Trajneri e ka nisur sezonin e ri me sinjale pozitive: fitore 0-4 ndaj Wolverhampton dhe ndjesi të mira që nga Botërori i Klubeve. Me përforcime të reja si Tijjani Reijnders, i cili shënoi që në debutim, Guardiola është i bindur: “Këtë vit do të jemi më të qëndrueshëm sesa sezonin e kaluar”.
sfidanti.al