Alessandro Costacurta, ish-mbrojtës dhe figurë emblemë e Milanit, aktualisht komentator televiziv dhe fytyrë e “Sky Sport”, ka dhënë një intervistë për “La Repubblica”. Në të ka trajtuar disa tema aktuale që lidhen me Serie A, duke filluar nga merkatoja: “Napoli dhe Milani kanë lëvizur mirë, janë përforcuar. Ekipet e tjera i shoh të ngadalta, pavarësisht shumë trajnerëve të rinj”. Duke u ndalur më tej në këtë çështje, “Billy” shprehet: “Dua të shoh nëse Fabregas do të dijë të konfirmohet. Dhe nëse Interi do të arrijë ta harrojë finalen e Mynihut, kampionatin e humbur dhe largimin e Inzaghit. Chivu nuk do ta ketë të lehtë”. Megjithatë, zgjedhjet e para të Interit dhe Juventusit për pankinën ishin të tjera: “Fabregas dhe Conte? Është një motivim më shumë, por duhet të jenë krenarë që janë thirrur, kanë një mundësi të madhe. Antonio është një nga 6-7 trajnerët më të mirë në botë, është normale të kërkohet. Edhe Cesc vjen nga një kampionat i shkëlqyer. Kështu që nuk besoj se Tudor dhe Chivu janë mërzitur që kanë ardhur pas të tjerëve, përkundrazi”.
Sa i përket Milanit, është kthyer Max Allegri dhe ka mbërritur Igli Tare si drejtor sportiv: “Max ndonjëherë është paksa shumë i kujdesshëm, por e vlerësoj si një nga trajnerët më të mirë në botë, fitues. Milani më shumë se të bëjë spektakël duhet të gjejë rezultatet, Allegri është personi i duhur. Bashkë me Taren janë tashmë dyshja më solide në Serie A”.
sfidanti.al