Federico Chiesa është një emër që pak vite më parë përfaqësonte të ardhmen e futbollit italian. Me paraqitjet e tij të shkëlqyera gjatë Euro 2020, ku luajti një rol vendimtar në suksesin e Italisë, ai konsiderohej ndër lojtarët më të talentuar të brezit të tij.
Megjithatë, rrjedha e karrierës së tij ka ndryshuar. Pas një dëmtimi serioz dhe disa sezoneve të vakëta, vlera e tij në treg ka rënë ndjeshëm. Transferimi te Liverpool, nuk rezultoi siç pritej. Në sezonin e tij të parë në Angli, kontributi i Chiesa-s u kufizua në vetëm 466 minuta lojë, nga të cilat 104 minuta ishin të shpërndara në gjashtë ndeshje të kampionatit.
Kjo situatë ka ndikuar direkt në vlerësimin e tij si lojtar. Nga një vlerë tregu që kalonte 70 milionë euro, aktualisht Chiesa mund të transferohet për një shumë që llogaritet rreth 10 milionë euro. Megjithatë, pengesa kryesore nuk qëndron tek kartoni, por tek paga e tij. Me një pagë prej 7 milionë euro në vit, shumë klube hezitojnë të ndërmarrin hapin për ta afruar.
Një ndër klubet që ka shfaqur interes është Napoli. Klubi napolitan ka bërë një sondazh për të marrë Chiesa-n në huazim me të drejtë blerjeje për 9 milionë euro, me kusht që Liverpuli të kontribuojë pjesërisht në mbulimin e pagës së tij. Kërkesa për ndihmë financiare nga ana e anglezëve ka ngadalësuar ecurinë e bisedimeve.
Në garë është përfshirë edhe Atalanta, që e konsideron italianin si një alternativë për të zëvendësuar sulmuesin Lookman, nëse sulmuesi nigerian largohet këtë verë.
Për vetë lojtarin, dëshira është e qartë dhe kërkohet rikthimi në Itali. Për këtë arsye ai ka refuzuar një ofertë nga Fenerbahçe. Ndërkohë, edhe klube si Milan dhe Roma mbajnë situatën nën vëzhgim.
sfidanti.al