Juve në sulm për Jadon Sancho

Juventusi nuk po e ngadalëson aspak ritmin në këtë merkato vere. Klubi bardhezi ka vënë në shënjestër një tjetër emër të madh të futbollit europian, Xhejdon Sanço. Anësori anglez, aktualisht në pronësi të Junajtidit, vjen pas një sezoni të suksesshëm në huazim te Çelsi, me të cilin fitoi Ligën e Konferencës nën drejtimin e trajnerit Enzo Mareska. Por, pavarësisht performancave pozitive, 25- vjeçari nuk bën pjesë në planet e trajnerit të ri të “Djajve të Kuq”, Ruben Amorim. Duke përfituar nga situata e paqartë e Sanços në Mançester, Juventusi është futur fuqishëm në garë dhe, sipas raportimeve të fundit, është gati të ofrojë 25 milionë euro për kartonin e tij. Një shumë e konsiderueshme, duke pasur parasysh se anglezi u transferua te Junajtid për 85 milionë euro në vitin 2021 nga Borusia Dortmundi, por që nuk arriti të lërë gjurmë në Premier Ligë. Megjithatë, pengesa kryesore për transferimin në Torino mbetet paga e lartë e lojtarit. Aktualisht, Sanço përfiton rreth 15 milionë euro në vit, shifër që është jashtë kufijve të politikës së re financiare të Juventusit.

sfidanti.al