Calha-Martinez, “negociata” për paqe

Inter mbylli një sezon me zero tituj, por në shtëpinë zikaltër janë jo pak të shqetësuar edhe për të ardhmen, dukshëm këtij ekipi i mungon shkëlqimi i dikurshëm, ndërsa përplasja Calhanoglu-Martinez vetëm sa ka trazuar edhe më shumë ambientin. Kapiteni shpërtheu ndaj regjisorit turk pas sfidës kundër Fluminense, duke i kërkuar këtij të fundit të largohej, por nuk mungoi as reagimi i Calha-s. Lajmi i mirë është se dy protagonistët absolut po përpiqen të vendosin paqen ndërmjet tyre, të zbusin disi këtë marrëdhënie të tensionuar. Calha ndodhet në Turqi, ku po vijon rikuperimin, ndërsa Martinez fluturoi menjëherë drejt Argjentinës për të pushuar pas një sezoni shumë të gjatë. Në pritje për t’u sqaruar kokë më kokë pas 20 ditësh, kur nis dhe grumbullimi, mediat italiane bëjnë me dije se mes dy lojtarëve ka pasur një telefonatë. Të dy palët kanë dhënë versionet e tyre pas atyre deklaratave, një përpjekje kjo për të zbutur disi situatën. Trajnerit Chivu dhe pjesës tjetër të stafit drejtues nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të shpresojnë që dy lojtarët të bëjnë paqe. Në të njëjtën kohë, mbetet e hapura e ardhmja e Calhanoglu, me turkun që dukshëm kërkon të largohet, edhe Inter e ka nxjerr në shitje, por oferta e fundit nga Gallatasary, 20-25 milion euro, është shumë larg asaj që kërkon Inter. Jo vetëm përplasja Calhanoglu-Martinez, drejtuesit e klubit duhet të shqetësohen edhe për një tjetër titullar të paprekshëm, Denzel Dumfries. Mediat kanë zbuluar se holandezi ka të përfshirë në kontratë një klauzolë që e lejon të largohet gjatë kësaj merkatoje vere, nëse një klub paguan 25 milionë euro. Kjo është një shifër që ekipe si Barcelona janë të gatshme ta paguajnë në çdo moment. Për momentin ekipi i Hansi Flick është skuadra më e interesuar për të siguruar shërbimet e anësorin holandez. Për të trazuar edhe më shumë këto zëra ka menduar vetë Dumfries, me mbrojtësin që ka ndryshuar agjent duke kaluar tashmë nën menaxhimin e Jorge Mendes.
sfidanti.al