Tirana drejt greminës

Disa javë më parë, me shpirt në dhëmbë, Tirana siguroi edhe një sezon tjetër mes më të mirëve të Superiores por mesa duket, jo për shumë kohë. Në agoni të plotë, klubi bardheblu po reflekton të gjitha problematikat financiare mbi skuadrën, ose më saktë, mbi atë që mund të quhet skuadër sepse të tillë nuk ka më në ambjentet e “Skënder Halilit”. Pa trajner dhe me 12 apo më shumë lojtarë që kanë preferuar të “arratisen”, sot Tirana është një një pozicion të vështirë. Sinjalet vijnë prej vitesh për një faliment të mundshëm por frika më e madhe e tifozëve (të cilët kanë humbur edhe nervin për të protestuar), tashmë po bëhet realitet. Paratë sot mungojnë tërësisht ndërsa presidenti Refik Halili nuk po e vë ujin në zjarr për të dhënë sadopak shpresë. Sot Tirana e futbollit të të rriturve ekziston vetëm në letra, ndërsa me sukses po shkatërrohet edhe sistemi i ekipeve zinxhir, dikur krenari e vendit. Nga fanellla bardheblu dalëngadalë po ngelet vetëm djersa dhe balta e lojtarëve që kanë sakrifikuar dhe ndoshta ky vit do t’i japë përfundimisht shtytjen e fundit klubit më të titulluar drejt greminës së frikshme.

Nga Pirro Bardhyli