Pas një sezoni plot intensitet në Hungari, Eneo Bitri i thotë lamtumirë ETO Gyor-it. Klubi hungarez konfirmoi zyrtarisht largimin e mbrojtësit shqiptar, duke e falënderuar për kontributin dhe profesionalizmin që shfaqi gjatë qëndrimit në radhët e tyre.
Ish-kapiteni i Partizanit u bë një prej shtyllave të ekipit hungarez gjatë këtij sezoni në elitën e futbollit hungarez. Në 22 paraqitje, ai jo vetëm që dha siguri në prapavijë, por u shqua edhe për efikasitetin në zonën kundërshtare. Me 5 gola të realizuar dhe 1 asist, Bitri la gjurmë në fanellën e Gyorit.
Por tanimë, aventura e tij në Hungari ka përfunduar, dhe 28-vjeçari nga Berati pritet të rikthehet te Valerenga, klubi norvegjez që zotëron kartonin e tij. A do të qëndrojë aty për të nisur një faqe të re në kampionatin nordik? Apo do të nisë një tjetër aventurë, ndoshta më e madhe dhe më sfiduese?
E sigurt është një gjë: Eneo Bitri ka ende shumë për të dhënë dhe emri i tij do të përmendet sërish në tregun e verës. Tashmë mbetet të shihet se cili do të jetë destinacioni i radhës për një prej mbrojtësve më të spikatur shqiptarë të viteve të fundit.
sfidanti.al