Mehdi Çobaj, nga Shkodra në zemër të Gjilanit

Gjilani ka ndezur motorët e merkatos dhe goditja e parë është një emër që premton energji, teknikë dhe përvojë fituese: Mehdi Çobaj. Sulmuesi 25-vjeçar nga Shkodra do të vishet kuqebardhë deri në verën e vitit 2027. Çobaj nuk është një emër që vjen thjesht për të plotësuar radhët. Me dy Kupa të Shqipërisë në xhep dhe eksperiencë me Shqipërinë U-21, ai i ofron Gjilanit një profil që kombinon rininë me pjekurinë sportive. Pozicioni i tij si sulmues krahu e bën një armë të çmuar në repartin ofensiv, ndërsa dinamika e lojës së tij pritet të japë tjetër ritëm lojës.

Transferimi i tij u zyrtarizua nga vetë klubi, ndërsa Syart Rrahmani, drejtor i përgjithshëm, ishte i pranishëm për ta mirëpritur Çobajn me fjalë të ngrohta dhe optimizëm për rrugën që nis. Gjilani e ka të qartë: sezoni i ri nuk është vetëm një tjetër kalendar ndeshjesh, por një mundësi për të ndërtuar diçka më të madhe. Çobaj i bashkohet ekipit më 1 korrik, në fazën përgatitore që do të zhvillohet në Gjilan, aty ku nis gjithçka, aty ku do të ngrihet një tjetër skuadër që synon lavdinë.

sfidanti.al