Tashmë që sezoni ka përfunduar, e gjithë vëmendja shkon te merkatoja dhe përforcimi i skuadrës për sezonin tjetër. Një fakt te Vllaznia që nuk e kanë lënë aspak pas dore, ku kërkohet përforcimi i skuadrës sa më shpejt dhe kompletimi i saj për sezonin që vjen. Ka disa emra të njohur që kanë qarkulluar në ambientin kuqeblu në ditët e fundit, si Roshi apo Çekiçi. Shkodranët kanë sytë edhe nga tregu vendas dhe konkretisht futbollistë që shihen me perspektivë dhe që kanë shfaqur performanca pozitive në sezonin që lamë pas. Një prej tyre është Florenc Farruku, sulmuesi që u aktivizua me Burrelin në Kategorinë e Parë, duke shënuar 15 gola për matjanët. Performancat e tij kanë tërhequr vëmendjen e skuadrave të Superiores, ku edhe Tirana ka shfaqur interes për shtatlartin.
Edhe te Vllaznia nuk e përjashtojnë afrimin e 23- vjeçarit në skuadër, i cili mund të vijë në Shkodër me parametra 0 pasi kontrata e tij me Burrelin ka përfunduar dhe duket se bashkëpunimi mes palëve nuk do të vijojë. Me sulmuesin që pritet të bëjë hapin e madh të Superiores, me Vllazninë që është “pas dere”, për të afruar në skuadër një sulmues që mund t’i bashkëngjitet Balajt në repartin e avancuar.
sfidanti.al