Një zhvillim i rëndësishëm ka ndodhur në radhët e Sivassporit, ekip që po lufton për mbijetesë në Superligën turke. Sulmuesi shqiptar, Rey Manaj, është përjashtuar nga skuadra me vendim të bordit drejtues të klubit. Ky vendim vjen në një moment të ndjeshëm për skuadrën, pak javë para përfundimit të kampionatit. Trajneri Rıza Çalımbay kishte kritikuar publikisht Manajn pas barazimit pa gola kundër Bodrum FK, duke vënë në dyshim përkushtimin dhe formën e tij:
“Nuk kemi një skuadër të plotë. Po mundohemi të aktivizojmë kë kemi në dispozicion. Rrezikuam dhe futëm në lojë të gjithë sulmuesit për të fituar ndeshjen. Rey Manaj duhet të përpiqet më shumë. I githë Sivasi e do dhe e quan lojtar të mirë, atëherë duhet të luajë si i tillë. Nuk pati asnjë rast për shënim. Pse ta mbaj në fushë një lojtar pa asnjë rast? Nuk ishte dita e tij, ndaj e zëvendësuam.” 28-vjeçari ka zhvilluar një sezon të mirë në aspektin statistikor, duke realizuar 12 gola dhe 5 asistime në 27 paraqitje për Sivassporin. Megjithatë, duket se raportet me trajnerin dhe drejtuesit janë përkeqësuar në mënyrë të pakthyeshme. Mbetet për t’u parë nëse ky përjashtim do të ndikojë në të ardhmen e tij te Sivasspori apo do të sinjalizojë një largim të mundshëm në verë.
sfidanti.al