Dinamo nis lëvizjet e merkatos

Dinamo e mbylli këtë sezon me trofeun e Kupës, që për drejtuesit nuk mjaftoi, pasi Daja dhe krerët e klubit ishin të bindur se mund të konkurronin Egnatian për titullin kampion. Përveç polemikave për arbitrimin dhe protagonizmit që Hamiti pati në atë ndeshje, te blutë janë të vetëdijshëm se skuadra ka dobësi, që duhen përmirësuar para nisjes së fushatës së ndeshjeve europiane. Reparti difensiv është pika më e dobët e Dinamos dhe ndoshta arsyeja përse lëshuan herë pas here terren përgjatë sezonit. Në këtë repart luan një si Aliji, që është lojtar i një niveli të lartë, por pjesa tjetër e lojtarëve nuk i përgjigjen lartësisë së tij, por edhe asaj që kërkon trajneri Daja. Kështu, pikërisht në këtë repart blutë kanë nisur punën për përforcime, teksa me siguri do të ketë edhe largime, për të liruar financa dhe numra në ekip. SULMI – Përveç mbrojtjes blu, edhe sulmi pritet të pësojë ndryshime, jo se nuk ka cilësi, madje e kundërta, sepse ka shumë kualitet dhe pritet që Zabërgja dhe Mandela të shiten. Nga ana tjetër, është përfolur shumë për një largim të mundshëm të Bregut. Këto tri lëvizje, do ta vendosin Dinamon në qendër të merkatos, sa i përket afrimeve.

sfidanti.al