Asllani do të largohet në verë, Inter-i i vendos çmimin

Kristjan Asllani u paraqit në një formë shumë të mirë në sfidën ndaj Verona-s, duke dhënë një nga paraqitjet më të mira të sezonit, ku shënoi edhe golin e vetëm të takimit, duke i dhënë 3 pikë të rëndësishme Interit.

Lojtari kuqezi, ishte më i miri në fushë për skuadrën e tij, ndërsa është zgjedhur edhe në formacionin e javës.

Përveç kësaj, mesfushori shqiptar tregoi siguri në pasime, vendosje të saktë taktike dhe angazhim të lartë në lojë, duke lënë përshtypje pozitive. Megjithatë, pavarësisht kësaj paraqitjeje, e ardhmja e tij tek Inter-i duket e paqartë.

Sipas mediave italiane, drejtuesit e klubit zikaltër kanë marrë tashmë vendimin për të mos llogaritur më mbi shërbimet e Asllanit për sezonin e ardhshëm.

Inter-i ka filluar prej kohësh kërkimin për një alternativë të re në mesfushë, veçanërisht për rolin e pasuesit të Hakan Calhanoglu. Në këtë kontekst, klubi është i hapur për të shqyrtuar çdo ofertë që mund të vijë për futbollistin shqiptar.

Asllani vazhdon të tërheqë interes në tregun e transferimeve. Oferta për të nuk kanë munguar as në të kaluarën, dhe aktualisht vëmendja ndaj tij po rritet, jo vetëm nga klubet e Serie A, por edhe nga kampionate të tjera elitare europiane.

Së fundmi, dy ligat kryesore, Premier League dhe La Liga kanë shfaqur interes konkret për mesfushorin 22-vjeçar, me disa skuadra që po monitorojnë situatën e tij.

Brenda Serie A, interesim konkret kanë shfaqur ekipe si Udinese, Bologna dhe Torino. Këto klube janë të gatshme të hyjnë në negociata me Interin për transferimin e Asllanit, duke synuar të përfitojnë nga situata e krijuar.

Nga ana tjetër, Inter e ka përcaktuar edhe çmimin minimal për të nisur bisedimet, një shumë prej të paktën 25 milionë euro për kartonin e lojtarit.

 

sfidanti.al