Izmir Smajlaj zgjidhet presidenti i Atletikës

Izmir Smajlaj, rekordmeni kombëtar në kërcim së gjati, është zgjedhur President i ri i Federatës Shqiptare të Atletikës. Zgjedhja e tij u bë gjatë Asamblesë së Jashtëzakonshme Zgjedhore, ku ai ishte kandidati i vetëm në garë, pas tërheqjes së ish-presidentit Taulant Stërmasi nga kandidimi.

Smajlaj merr një mandat katërvjeçar në krye të Federatës, duke kaluar nga karriera e tij aktive në atletikë në një rol drejtues në institucionin që menaxhon disiplinën e sportit të atletikës në vend.

Asambleja ka miratuar gjithashtu edhe përbërjen e re të Kryesisë së Federatës. Anëtarët e zgjedhur janë Vaso Selenica, Emiljana Ciko, Gledis Hallunaj, Oltion Luli, Zhuje Bajko dhe Vladimir Gjonaj.

Zhvillimet e fundit janë shoqëruar edhe me reagime nga figura të rëndësishme të atletikës shqiptare. Njëra prej tyre është kampionia Luiza Gega, e cila ka reaguar përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale. “Është punuar fort që të mos votohet për mua. Unë thjesht mbajta një fjalim prezantues, jo se nuk e dinë se kush jam, por që doja t’i shikoja në sy kur të vinte ky momenti. Thashë dhe dy fjalë në fund që vërtetë unë nuk meritoj të jem pjesë sepse unë i bëj gjërat me shpirt, e dua këtë sport dhe duam të ecim para”, është shprehur Luiza Gega.


sfidanti.al