Në orën 17:30 të së premtes, të gjithë tifozët e Interit mësuan verdiktin zyrtar, pas kontrolleve mjekësore të Lautaro Martinez. Në “skaner” kaloi dëmtimi i kapitenit zikaltër, pësuar në pjesën e parë ndaj Barcelonës 3-3. Bëhet fjalë për një “elongacion” të muskujve fleksorë të kofshës së majtë. Një term që nuk përjashton dëmtimin (i cili mund të jetë i lehtë apo i mesëm), por që gjithsesi lë një derë të vogël të hapur rikuperimi në kohë për gjysmëfinalen e kthimit, që do të luhet të martën (6 janar) në “San Siro”.
Shpirti i “Toros”, i rrëzuar në ato momente kur ndjeu dhimbjen në fushë, u rikthye menjëherë sapo pa reagimin e shokëve të skuadrës në “Montjuic”, të cilët mbajtën gjallë shpresat për kualifikim. Që aty nisi edhe programi i tij personal, fizik dhe mendor, me një objektiv të qartë: të mos e humbasë takimin historik.
Sipas asaj që raporton “Gazzetta dello Sport”, muskujt e dëmtuar të Lautaros po shfaqin shenja përmirësimi. Nëse gjendja klinike do të vazhdojë të evoluojë pozitivisht edhe të dielën, atëherë të hënën sulmuesi do t’i nënshtrohet një prove vendimtare për të synuar të paktën grumbullimin. Edhe prania e tij në pankinë do të kishte peshë të madhe si shtysë morale për ekipin, por edhe si kërcënim psikologjik për Barcelonën, nëse do të futej në lojë qoftë edhe për 10-15 minuta. Në shtëpinë zikaltër kishte frikë për një diagnozë shumë më të rëndë përpara kontrolleve mjekësore, por gjithashtu dihet që Lautaro nuk tërhiqet lehtë. Si shembull, në tetor, Zielinski pati një dëmtim të ngjashëm dhe u rikthye pas 8 ditësh, duke luajtur gjysmë ore kundër Young Boys. Sigurisht, këtë herë koha është më e shkurtër, por në një gjysmëfinale europiane dhe me karakterin që e dallon, “Toro” nuk përjashton asnjë mundësi, për sa kohë mjekët nuk do ta ndalojnë.
Nëse nuk do t’ia dalë, do të jetë Mehdi Taremi, ai që do ta nisë nga minuta e parë, ndaj edhe Inzaghi ka vendosur të mos e aktivizojë nga fillimi kundër Veronës. Sidoqoftë, tifozët e Interit, deri të martën në orën 20:59, do të vazhdojnë të shpresojnë.
sfidanti.al