Final Four, ja si ndahen tribunat për ndeshjet gjysmëfinale

Të dielën dhe të hënën do të luhen dy ndeshjet gjysmëfinale të “Final Four”, ku do të vendoset finalja e madhe e sezonit 2024/2025 në kampionatin “Abissnet Superiore”.

Vllaznia – Dinamo City është gjysmëfinalja e parë e “Final Four”, që do të luhet të dielën, më 4 maj, në orën 20:00, në stadiumin “Arena Kombëtare”. FSHF, si organizatore e ndeshjeve të “Final Four”, ka përcaktuar edhe ndarjen e tribunave për tifozët. Në sektorin N do të vendosen tifozët e Vllaznisë, ndërsa sektorët S dhe V janë të rezervuara për tifozët e Dinamos. Në tribunën kryesore, sektorët W101, W102 dhe W103 janë në dispozicion të tifozëve të Vllaznisë, ndërsa në sektorët W105, W106 dhe W107 do të vendosen tifozët e Dinamos.

Të gjitha tribunat e tjera në stadiumin “Arena Kombëtare” do të jenë në dispozicion të tifozëve të të dyja skuadrave dhe për të gjithë futbolldashësit e kampionatit shqiptar. Gjysmëfinalja e dytë, Egnatia – Partizani, do të zhvillohet të hënën, më 5 maj, në orën 20:00, po në stadiumin “Arena Kombëtare”. Në këtë sfidë, tifozët e Egnatias do të pozicionohen në sektorin N, ndërsa tifozët e Partizanit në sektorët S dhe V. Në tribunën kryesore, sektorët W101, W102 dhe W103 janë në dispozicion të tifozëve të Egnatias, ndërsa në sektorët W105, W106 dhe W107 do të vendosen tifozët e Partizanit.

Edhe në këtë ndeshje, tribunat e tjera do të jenë në dispozicion të tifozëve të të dyja skuadrave dhe për të gjithë futbolldashësit e kampionatit shqiptar. Biletat për ndeshjet e “Final Four” mund të blihen online në ebileta.al, si edhe në pikën fizike pranë stadiumit “Arena Kombëtare”.

sfidanti.al