Radja Nainggolan, ish-mesfushor i njohur i përfaqësueses belge dhe disa klubeve të njohura europiane, ka bërë një rrëfim të pazakontë në një intervistë për emisionin belg Bar Goens. Ai pranoi se kishte kërkuar një hua prej 100 mijë eurosh nga Nasr-Eddine Sekkaki, një trafikant i njohur droge në Belgjikë.
Nainggolan u arrestua nga policia belge nën dyshimin për përfshirje në një rrjet ndërkombëtar të trafikut të drogës, në kuadër të një hetimi më të gjerë mbi krimin e organizuar. Megjithatë, ai u lirua pasi akuza kryesore kundër tij u rrëzua.
I njohur me nofkën “Ninja”, Nainggolan shpjegoi arsyen e huasë që kishte marrë: “Nuk ishin ata që kishin nevojë për para, isha unë. Njerëzit besojnë atë që lexojnë në gazeta, si për shembull që unë isha në qendër të një rasti për drogë. Por nuk ka asnjë lidhje me drogën.”
Gjatë intervistës, ai pranoi se kishte pasur probleme financiare për shkak të borxheve të akumuluara nga loja e bixhozit dhe bllokimit të llogarive bankare pas divorcit. Për këtë arsye, iu drejtua Sekkakit për ndihmë. Sipas tij, shuma prej 100 mijë eurosh u mor në dorë, por më pas u kthye përmes transfertave bankare që varionin nga 5.000 deri në 30.000 euro, të cilat u paraqitën si investime në fushën e ndërtimit.
Përkundër natyrës së dyshimtë të marrëdhënies, Nainggolan këmbënguli se nuk ka pasur asnjë përfshirje në trafikun e drogës dhe se gjithçka kishte ndodhur për shkak të situatës së tij personale të vështirë.
sfidanti.al