Besëlidhja në basketboll, 1 fitore larg titullit të dytë kampion radhazi

Për Besëlidhjen, finalet “play off” në Super ligën e basketbollit të meshkujve po rezultojnë një shëtitje. Lezhjanët e kanë thelluar në 2-0 serinë kundër Teutës, teksa morën edhe raundin e dytë në pallatin e sportit “Ramazan Njala” në Durrës. Ashtu sikurse në përballjen e parë, Besëlidhja dominoi totalisht, teksa fitoi me rezultatin e thellë 71-123 (19-23, 16-26, 19- 38, 17-36). Plot 52 pikë diferencë, që tregojnë disnivelin mes ekipeve në këtë seri finalesh. Në njërën anë kemi lezhjanët e Afrim Bilalit me një organikë të gjerë, thuajse me dy ekipe, ndërsa në krahun tjetër zgjedhjet për trajnerin Nikola Milatoviç janë shumë të limituara dhe Teuta duket se e ka arritur objektivin e saj, si nënkampione për herë të dytë radhazi. Edhe në finalen e djeshme, durrsakët rezistuan vetëm një periodë, ndërsa më pas takimi nuk kishte më histori. Të 12 lojtarët e aktivizuar për Besëlidhjen e shkruan emrin në listën e pikëshënuesve, ndërsa 8 lojtarë shkuan në kuotë dyshifrore pikësh.

sfidanti.al