Igli Tare pritet të jetë drejtori i ri sportiv i Milanit. Pavarësisht se vendimi për emërimin e drejtuesit të ri është shtyrë përtej afatit fillestar të parashikuar, profili i ish-kapitenit të Kombëtares shqiptare vazhdon të mbetet ndër më të preferuarit nga drejtuesit e klubit kuqezi. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, pas një takimi të zhvilluar disa ditë më parë mes Igli Tares dhe administratorit të deleguar të Milanit, Giorgio Furlani, palët kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme.
Bëhet me dije se pritet të caktohet një takim i dytë mes tyre në ditët në vijim për të vijuar diskutimet në lidhje me mundësinë e bashkëpunimit.
Në këtë fazë nuk është përcaktuar ende një datë konkrete për takimin e ardhshëm, por ekziston mundësia që ai të zhvillohet së shpejti. Kjo për shkak të nevojës që klubi të ketë të emëruar një drejtues të sektorit sportiv përpara përfundimit të sezonit aktual, në mënyrë që puna për ndërtimin e skuadrës për edicionin e ardhshëm të nisë në kohë. Objektivi është që drejtori sportiv i ri të jetë funksional që në mesin e muajit maj. Nga ana tjetër, Igli Tare duket se ka filluar të hartojë idetë e tij për projektin sportiv të Milanit. Nëse emërimi i tij konkretizohet, një nga lëvizjet e para mund të jetë afrimi i sulmuesit gjerman Junathan Burkard. Futbollisti 24-vjeçar i Mainzit ka shënuar 16 gola gjatë këtij sezoni dhe ka përfaqësuar Gjermaninë në nivele të ndryshme të kombëtares. Prezenca e tij në listën e objektivave tregon se Tare është i përfshirë në mënyrë aktive në planifikimin e merkatos, në pritje të një vendimi zyrtar nga drejtuesit e Milanit.
sfidanti.al