Lamtumira e Lara Kolturit nga Shqipëria nuk ishte surprizë

Italia provon për Lara Kolturin. Federata Italiane Sportit Dimëror po tenton në limite për të veshur “axurre” skiatoren e talentuar 18-vjeçare, e cila që prej majit të 2022-shit është natyralizuar me pasaportë shqiptare. Pengesa e vetme deri më tani mbetet Federata Shqiptare e Skive që duhet të aprovojë lejen e largimit të Kolturit brenda datës 1 maj. Federata Shqiptare ka konfirmuar kërkesën e paraqitur nga Lara Kolturi për tu larguar nga Shqipëria, ndërsa shumë shpejt do të ketë një takim mes palëve, kur pritet të vijë edhe zyrtarizimi. Lara mbylli një sezon me rezultatet shumë të mira për Shqipërinë, duke shënuar tri podiume në etapat e Kupës së Botës. Ndonëse në sezonin e saj të parë me të rriturat, ajo regjistroi dy vende të dyta në sllallomin gjigant dhe një vend të tretë në sllallom, për të mbyllur e teta renditjen në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës. Tashmë Lara kërkon dritën jeshile për të pasur mundësinë e konkurrimit për Italinë. Tani topi është në anën e Federatës Shqiptare të Skive, pasi nëse kërkesa nuk pranohet deri më 1 maj, atëherë Lara do të mbetet pjesë e Shqipërisë ose mund të zgjedhë të qëndrojë pushim për një sezon. Por qëndrimi pushim për një vit duket një hipotezë e vështirë që të ndodhë, duke qenë se në prag janë Lojërat Olimpike Dimërore “Milano Kortina 2026”. Pra pauza 1 vjeçare do të kishte kosto të lartë, pasi do ta mbante Larën jo vetëm jashtë Kupës së Botës por do të humbiste gjithashtu edhe Olimpiadën Dimërore. Për momentin, në ambientet e Federatës Italiane nuk ka as konfirmim dhe as përgënjeshtrim për afrimin e Lara Kolturit, ndërsa negociatat e skiatores me Federatën Shqiptare vijojnë. E pajisur me pasaportë shqiptare në vitin 2022, Lara Kolturi ka qenë një prej sportisteve më të investuara dhe të promovuara në Shqipëri. Vetëm pak muaj më parë, Erion Veliaj njoftoi shpërblimin nga Bashkia e Tiranës me 100 mijë euro për Larën. Pa harruar mbështetjen nga federata, ku pjesa kryesore e buxhetit shkonte pikërisht për Lara Kolturin. Gjithashtu, Kryeministri Edi Rama e ftoi në podkastin e tij, duke i bërë jehonë dhe duke promovuar një sportiste që konsiderohet si një prej talenteve më premtuese në rang botëror në skitë alpine. Strategjia e Federatës Shqiptare të Skive për ta afruar në Kombëtare Lara Kolturin u shpërblye shpejt me arritje, në një sport ku vendi ynë ka pasur rezultate modeste. Lara spikati me moshat, ndërsa më tej u dallua edhe me të rriturat, por një largim i mundshëm i saj nga Kombëtarja Kuqezi ishte gjithnjë në ajër. Përveç është zërave të vazhdueshëm në komunitetin e sportit në vend edhe fjalët e të ëmës së Larës, Daniela Çekerelit, linin të kuptonin se Shqipëria për Lara Kolturin do të ishte vetëm diçka kalimtare. Ish-kampionia Olimpike, Çekareli, zgjedhjen për të përfaqësuar Shqipërinë e kishte shpjeguar kështu: “Arsyet janë teknike, në sensin që Lara mund të vazhdojë rrugëtimin e saj në ski pranë familjes. Kështu ajo do të vazhdojë të ketë familjen pranë, si dhe do të ketë akses në garat që vetë ne do të zgjedhim, pa i limituar siç ndodh në ekipe të tjera kombëtare”. Pra, meqë programet e Federatës Italiane ishin të ndryshme nga ato që kërkonin prindërit e saj, ata zgjodhën që Kolturi të përfaqësonte Shqipërinë. Kështu që në vitet e para të adoleshencës ajo u stërvit sipas kërkesave të saj, duke zgjedhur garat që dëshironte, edhe pse jo me flamurin italian, por atë shqiptar. Pra, largimi i Larës nuk ishte aspak një rrufe në qiell të hapur, por diçka e pritshme, që ndoshta edhe vetë Federata Shqiptare e Skive e kishte vendosur në preventiv.

sfidanti.al