Inter-Barcelona, një sfidë që vlen më shumë se një finale

Pas dy netëve elektrizuese në Champions League, vëmendja e gjithë Europës është përqendruar në përballjen e zjarrtë mes Interit dhe Barcelonës. Një duel që sjell në mendje kujtime të ëmbla për tifozët zikaltër, të cilët ëndërrojnë një tjetër ‘Tripletë’ si ajo e famshme e vitit 2010. Por këtë herë, loja zhvillohet në më shumë se një fushë: kualifikimi për në finale është vetëm një pjesë e betejës së madhe. Në sfond, zhvillohet një duel i heshtur, por vendimtar, mes dy federatave: Italia dhe Spanja garojnë për vendin e dytë në renditjen e UEFA-s për këtë sezon, një pozicion që siguron një vend të pestë shtesë në edicionin e ardhshëm të Champions League.

Gara për vendin e dytë në renditjen e UEFA-s:

  • Anglia është e sigurt në vendin e parë me 25.892 pikë
  • Spanja është e dyta me 22.607 pikë
  • Italia ndjek në vendin e tretë me 20.750 pikë
  • Gjermania mbetet prapa me 18.421 pikë
  • Pas saj janë Franca (16.857)
  • Portugalia (16.250)
  • Belgjika (15.650)
  • Holanda (15.250)

 

Eliminimi i njëkohshëm i Real Madridit dhe Bayernit ka ndihmuar Italinë t’i afrohet Spanjës dhe të krijojë distancë nga Gjermania, por Spanja mbetet ende favorite për vendin e dytë.

Duele të tjera vendimtare

Në Champions, Interi dhe Barcelona do të vendosin shumë më tepër sesa një vend në finale. Në Europa League, Lazio do të kërkojë përmbysjen ndaj Bodo/Glimt, ndërsa Athletic Bilbao përballet me Rangers pas barazimit pa gola në ndeshjen e parë. Në Conference League, Fiorentina dhe Betis janë favoritë për të kaluar më tej pas fitoreve në sfidat e para ndaj Celje dhe Jagiellonia.

Si llogariten pikët?

UEFA ndan pikët sipas sistemit të mëposhtëm:

  • 2 pikë për fitore
  • 1 pikë për barazim
  • 1 pikë shtesë për kualifikim në çdo fazë

Këto pikë ndahen me numrin fillestar të skuadrave pjesëmarrëse të secilës federatë: 8 për Italinë, 7 për Spanjën. Për ta siguruar matematikisht vendin e dytë, Spanjës i duhen vetëm 1.5 pikë të tjera.

 

sfidanti.al