Lamtumira me Juventusin, depresioni, dëshira për t’u kthyer në fushë, ose më mirë, të shfaqesh, sepse për Pol Pogba, futbolli është gjithashtu një shfaqje.
Ish-lojtari i Juventusit tregon historinë e tij në një intervistë për revistën “GQ France”, duke pritur të zgjedhë një skuadër për t’u rikthyer. “Propozimet nuk mungojnë dhe vijnë nga kudo”, thotë mesfushori.
Pas pezullimit për doping, pas grabitjes nga njerëz që i konsideronte miq, me përfshirjen edhe të një vëllai të tij, Pogba do të kthehet te loja: “Të gjitha këto prova – shpjegon ai – më dhanë një mentalitet më të madh. Ndihem si një djalë i ri që do të bëhet profesionist, jam rikthyer të jem Poli i vogël që do të gjejë vend në futboll”.
Vendin, Pogba e humbi te Juventusi pas një periudhe të vështirë: “Po përpiqesha të qëndroja i fokusuar te futbolli, por ishte bërë shumë e vështirë. Kisha kaq shumë shqetësime sa nuk luaja më. Në fund të fundit, futbolli të merr disa orë në ditë.
Kur përfundonim stërvitjen, përpiqesha të qëndroja sa më gjatë me shokët e mi, por në fund duhet të kthehesha në shtëpi. Pyetja që më shkrepi ishte kur do të mbaronte gjithçka dhe kjo ndikoi në trupin tim, ndaj nuk mund të kthehesha në nivelet e mia”.
DEPRESIONI— Nga këtu vijnë lëndimet dhe periudha e errët, e fundit në Torino, siç kishte ndodhur edhe kur u rikthye te Mançester Junajtidi, ku nuk luante më me Murinjon: “Dhe rashë në depresion pa e kuptuar fare sepse askush nuk ta mëson këtë. E kuptova kur fillova të humbas flokët”. Në Torino, goditja përfundimtare erdhi me pezullimin për doping:
“Nuk doja më të qëndroja në Torino. Në mëngjes i çoja fëmijët në shkollë, pikërisht përballë qendrës së stërvitjes dhe për mua ishte shumë e dhimbshme”. Dënimi fillestar me katër vjet pezullim mund ta kishte mbyllur karrierën, por ulja e dënimit e lejoi atë të rikthehej në fushë:
“Gjithçka që më ka ndodhur, më ka ndryshuar. Më ka pastruar dhe më ka treguar jetën e vërtetë. Por papritur jam ‘plakur’ 10 vjet”. Por dëshira për fushë mbetet e pandryshuar dhe Pogba po kërkon një fanellë të re. Në fakt, një skenë të re: “Sepse për mua futbolli është shfaqje. Nëse shikoj një ndeshje, dua të shoh një shfaqje, të ngrihem dhe të duartrokas”, u shpreh Pol Pogba.
sfidanti.al