Egnatia, trembin dëmtimet

Egnatia ka ulur ritmin në ndeshjet e fundit, sidomos në shtëpinë e saj, duke bërë që të humbin mundësinë të siguronin edhe në mënyrë matematikore vendin e parë. Kampionët kanë fituar vetëm një herë në pesë ndeshjet e fundit, gjë që nuk jemi mësuar ta shohim shpesh vitet e fundit.

Për të mos llogaritur që kanë bërë edhe një hap fals në gjysmëfinalen e parë të kupës ndaj Partizanit, ku u mundën me rezultatin 0-1. Mirëpo, ajo që shqetësoi më shumë në përballjen e fundit me Elbasanin, nuk është thjesht humbja, por edhe loja e zhvilluar. Rrogozhinasit nuk ishin ai ekipi që diktonte lojën, pavarësisht se në fund edhe mund të humbasë. Duke parë që fundi po tregon një Egnatia që mund të thyhet dhe nuk dominon mbi kundërshtarin, në Rrogozhinë kanë nisur të shqetësohen për fazën finale. Siç dihet, në “Final 4” luhet vetëm me një ndeshje dhe çdo gabim të kushton sezonin dhe kampionët po nisin t’i druhen kësaj gjëje. Dëmtimet e shumta dhe mungesa e një formacioni stabël kanë sjellë pikërisht këto luhatje të rrogozhinasve.

Për këtë arsye, tri ndeshjet e mbetura, përpos rezultatit, do t’i shërbejnë Tetovës për të dërguar sërish skuadrën në maksimumin e vet. Në letër, Tetova ka ekipin me më shumë cilësi në kampionatin shqiptar, ndaj edhe presioni për të përsëritur suksesin e vitit të kaluar është i madh. Tani kampionët kanë vetëm pak ditë në dispozicion për të kapur sërish ritmin që duhet, sepse përndryshe sezoni është në rrezik, si kampionati edhe kupa. Të shtunën, Egnatia do të luajë përballë skuadrës që i është bërë “makth” këtë vit, Partizanin. Është e freskët humbja në kupë pak ditë më parë, ndërkohë që edhe në kampionat nuk është se kanë një bilanc pozitiv, por gjithsesi janë më barazi, me nga një fitore secila dhe një ndeshje është mbyllur në barazim.

Në tërësi, me të kuqtë nuk kanë kujtime të mira, ndaj këtë fundjavë nuk do të kenë një mision të lehtë në kryeqytet. Mbetet për t’u parë nëse rrogozhinasit do të dinë të dalin nga ngërçi ku janë futur apo do të vijojnë të vuajnë këtë fund sezon.

 

sfidanti.al