Trajneri i Bylisit, Gentian Mezani pranoi pas fitores 0-1 ndaj Vllaznisë se ndikim pati edhe kartoni i kuq i shkodranëve.
“Sigurisht që ka pasur efektin e vet kartoni i kuq i Vllaznisë dhe padiskutim që ishim më të favorizuar. Nuk po arrinim dot të organizoheshim mirë dhe të dilnim në sulm ashtu siç duhej, kishim paqartësi. Në pjesën e dytë na ndihmoi goli që erdhi shpejt dhe më pas menduam që t’i kapnim në kundërsulme.
Nuk e kishim përgatitur ndeshjen vetëm në krahun e djathtë, por kishim pak lëvizshmëri në sulm. Si Peralta dhe Kamara gabuan me pasimet. Këto 3 pikë na duheshin në të gjitha mënyrat dhe duhej të ishim të kujdesshëm për të mos pësuar gol.
Ne bëmë dy ndërrime për arsye dëmtimi dhe më është dashur që të mbuloj ato pozicione me lojtarë pak a shumë të njëjtit repart. Mendoi që në momentin që Da Silva u fut bëri mirë në pjesën e parë, por edhe në të dytën, por ai vrapoi dhe pati lodhje. Kishim edhe presion, normale në këtë fazë të kampionatit. Sot nuk na bënte punë as barazimi.
Ne humbëm presionin te reparti ofensiv i joni. Kjo na krijoi problem pasi kishte edhe erë dhe forca e topit ishte e madhe. Ndërsa mbrojtësi ynë ia doli mbanë edhe pse disa duele u fituan nga Balaj, normale sepse ka eksperiencë”, është shprehur Gentian Mezani.
sfidanti.al