Vendimi i Federatës Shqiptare të Futbollit për të përjashtuar dhe përçarë tifogrupin “Tifozët Kuqezi” duke e lënë jashtë portave për ndeshjet e Kombëtares nuk duhet cilësuar vetëm si një veprim i izoluar në sferën sportive. Kush thotë sot që këto janë çështje që nuk shkojnë përtej shkallëve, gabohet rëndë. Me këtë veprim që pason atë të përjashtimit të “Plisave” kohë më parë, ç’nderohet misioni dhe ngjyrat e misionit që tifogrupe të tilla kanë. Një precedent i paprecedent që legalizon veprime të tilla dhe i bën sjellje të tilla arrogante si normale në një ambjent që po humbet çdo vlerë patriotizmi.
Një akt i turpshëm dhe i papranueshëm, që cenon vetë thelbin e mbështetjes për ekipin kombëtar ndërsa vazhdimin e dimë të gjithë tashmë. Duka & FSHF do të shpërndajnë vetëm bileta të dedikuara në ndeshjet e Shqipërisë dhe në kuadër të fushaës eleminatore me kundërshtarë si Serbia apo Anglia, me siguri që çmimi për VIP-at do të arrijë majat. Ky vendim shfaq edhe një arrogancë të pashoqe nga ana e institucioneve që supozohet të jenë në shërbim të futbollit dhe tifozëve, e jo kundër tyre.
“Tifozët Kuqezi” kanë qenë shtylla kurrizore e mbështetjes për Kombëtaren Shqiptare për më shumë se dy dekada. Ata kanë udhëtuar në çdo cep të Europës për të përkrahur ekipin, duke e bërë zërin e Shqipërisë të dëgjohet kudo dhe si këmbim, FSHF zgjdh t’i izolojë dhe t’i përçajë, duke promovuar një skenar të rrezikshëm ku tifozeria trajtohet si një pengesë dhe jo si një aset kombëtar.
Ky vendim ka pasoja të rënda. Së pari, krijon një ndasi të panevojshme brenda tifozërisë shqiptare në vend që të promovojë unitetin dhe pasionin për Kombëtaren, së dyti, dëmton atmosferën në stadium, duke e kthyer atë nga një festë e vërtetë kuq e zi në një mjedis të kontrolluar dhe të shuar dhe së treti, tregon një model të rrezikshëm të qasjes arrogante të FSHF-së ndaj çdo zëri kritik, duke e shndërruar atë nga një institucion që duhet të punojë për futbollin, në një organizatë që kujdeset më shumë për interesat e veta sesa për tifozët.
Pirro Bardhyli