Courtois gati të rikthehet me Belgjikën

Për të gjetur paraqitjen e fundit të Thibaut Courtois me fanellën e Belgjikës, duhet të kthehemi më 17 qershor 2023, në ndeshjen kualifikuese për Euro 2024, kundër Austrisë. Që nga ajo kohë, portieri i Real Madridit ka qenë larg kombëtares për shkak të një dëmtimi të gjatë në gju dhe përplasjes me trajnerin Domenico Tedesco.

Në gusht të vitit 2024, Courtois kishte njoftuar se nuk do të luante më nën drejtimin e tij, por ndryshimi në pankinë me Rudi Garcia mund ta ndryshojë situatën.

“Më ka munguar shumë të luaj për Belgjikën… ka kaluar një vit e gjysmë, tani jam gati të kthehem,” deklaroi portieri i ‘Los Blancos’ në një intervistë për Koora Break. Sinjale pozitive për një rikthim janë konfirmuar edhe nga babai i tij, Thierry Courtois, i cili ka zbuluar për VTM se po zhvillohen bisedime mes djalit të tij dhe Federatës Belge:

“Thibaut dhe Federata janë në negociata. Rikthimi i tij është i afërt, ndoshta që në mars ndaj Ukrainës, ose pak më vonë. Duke marrë parasysh kalendarin e ngjeshur, mund të shtyhet edhe për kualifikueset e Kupës së Botës.”

Një rikthim që do të ishte një frymëmarrje e madhe për kombëtaren belge, e cila po kalon vështirësi dhe ka nevojë të rikthejë stabilitetin, me Rudi Garcia që pritet të debutojë në pankinë.

sfidanti.al