Nava i kërkon fanellën Messit pas ndeshjes, por dënohet

Një arbitër meksikan është futur në telashe për shkak të Leo Messit. Lajmi për zotin Ortiz Nava, i cili pas ndeshjes i kërkoi argjentinasit t’i dhuronte fanellën e tij, ka bërë bujë. Një veprim që shkel çdo normë etike dhe që i kushtoi një ndëshkim, sidomos sepse gjithçka ndodhi nën vëzhgimin e kamerave, ndërsa të dyja skuadrat ishin ende në fushë. Nuk është hera e parë që një arbitër i kërkon fanellën “Pleshtit”, por kësaj here situata shkaktoi polemika të mëdha në Shtetet e Bashkuara, duke çuar deri në pezullimin e tij. Gjithçka ndodhi pas fishkëllimës së fundit në ndeshjen Kansas City-Inter Miami, e luajtur në kushte ekstreme me disa gradë nën zero, ku ngrica dominoi lojën. Messi vendosi takimin me një gol, por më pas u gjend në qendër të polemikave për kërkesën absurde të arbitrit, i cili iu afrua për të siguruar fanellën e tij sapo të ktheheshin në dhomat e zhveshjes. Kërkesa e pazakontë e zotit Ortiz Nava nuk kaloi pa u vënë re nga drejtuesit e CONCACAF, të cilët e ndëshkuan menjëherë. Sipas deklaratës së organit drejtues, arbitri “iu afrua lojtarit për të kërkuar një autograf për një familjar me nevoja të veçanta”. Megjithatë, kjo nuk mjaftoi për ta justifikuar, pasi veprimi i tij shkel plotësisht kodin e sjelljes: arbitri e takoi Messin pas përfundimit të ndeshjes dhe i kërkoi hapur fanellën, përpara kamerave dhe shumë dëshmitarëve. Sado i pafajshëm të duket ky gjest, ai përbën një shkelje të plotë të rregullave të Konfederatës për zyrtarët e ndeshjeve, e cila ndalon kërkesa të tilla ndaj futbollistëve. Arbitri u “kap mat”, pasi Messi ia dhuroi realisht fanellën e tij Ortiz Navës, i cili u kthye në shtëpi me një relike tepër të çmuar, një nga më të kërkuarat në botë. Në deklaratën e CONCACAF thuhet se arbitri “pranoi gabimin e tij, kërkoi falje për incidentin dhe pranoi masën disiplinore të marrë ndaj tij”, por nuk u specifikua sanksioni i saktë që iu dha.

sfidanti.al