“Preja” e preferuar e Teutës është Tirana. Ndaj bardhebluve, blutë kanë ditur gjithmonë të marrin maksimumin dhe pikët të plota. Ndërkohë, që dy ndeshjet e fundit midis Teutës dhe Tiranës, ajo e fazës së parë në Durrës është mbyllur 3-1 për Teutën, ndërsa dueli i luajtur në “Arena Kombëtare”, është mbyllur me barazim.
Sezoni i Teutës ka nisur mirë, por tanimë po merr një kthesë të fortë në këtë fund faze të tretë. Blutë kanë grumbulluar 24 pikë në 25 javë dhe tashmë duhet të marrin ndeshjet me radhë për të arritur të dalin na zona e ftohtë. Të besuarit e Bledar Hodos ndodhen në vendin e 9-të dy pikë larg vendit të 7-të, por pretendojnë që ta lënë atë vend. Në favor të Teutës janë dhe statistikat. Të besuarit e Hodos dinë si t’i marrin pikët ndaj Tiranës. Tashmë përpara janë vetëm finale dhe të gjitha skuadrat e dinë shumë mirë këtë. Duhet vlerësuar çdo detaj dhe këtë do të përpiqet të bëjë edhe Teuta në ndeshjen e javës së 26-të të Kategorisë Superiore ndaj Tiranës në “Niko Dovana”. Lajmi i mirë është se për këtë përballje Teuta rigjen lojtarë shumë të rëndësishëm. Bëhet fjalë për mesfushorin Erando Karabeci. Ky i fundit ishte me një gjendje gripale dhe tani është bashkuar më grupin.
Teuta ka vijuar dje procesin përgatitor në prag të sfidës me Tiranën, që do të luhet ditën e shtunë në “Niko Dovana”. Në Durrës kanë si synim që të sigurojnë tri pikët në sfidën me bardheblutë. Skuadra ka punuar më së shumti në lojë, teksa Hodo e ka ndarë grupin në dy pjesë. Ra si zakonisht në sy loja e fortë e skuadrës, ku të gjithë futbollistët prej kohësh po kërkojnë një vend titullari në skuadër dhe po mundohen t’ia mbushin mendjen trajnerit që ata janë të duhurit për 11-shen e parë. Tashmë synohet fitorja dhe aq më tepër që përballë kanë një ekip si Tirana dhe Hodo bashkë me të besuarit e tij do të hyjnë në fushë për të marrë pikët e plota. E vështirë, por jo e pamundur, gjithsesi, në Durrës janë duke e vlerësuar maksimalisht kundërshtarin e radhës. Skuadra vjen në një moment jo të mirë, ndaj Tiranës është një skuadër fatsjellëse për Teutën, pasi ndaj tyre Teuta ka ditur të fitojë gjithmonë.
sfidanti.al