“Thierry Henry i ri”, tani ka përfunduar në Kinë

Shumë sulmues të Arsenalit janë përpjekur ta mbushin boshllëkun e lënë nga legjendari francez që kur ai u largua nga klubi në vitin 2007, me nivele të ndryshme suksesi. Robin van Persie e trashëgoi rolin e Henryt si sulmuesi kryesor i Arsenalit dhe golat e tij i siguruan një transferim te Manchester United, por pasardhësit e tij kanë pasur fat të ndryshëm.

Pierre-Emerick Aubameyang ishte ndoshta më i suksesshmi, ndërsa Alexandre Lacazette u ble për një shumë të madhe nga Lyoni, por nuk ishte aq i efektshëm sa shpresonin tifozët e Arsenalit. Aktualisht, opsionet e Arsenalit në sulm janë Kai Havertz dhe Gabriel Jesus, por të dy janë të dëmtuar dhe mund të humbin pjesën e mbetur të sezonit, me Jesus që tashmë është konfirmuar se ka dëmtuar ligamentin e gjurit (ACL).

Në vitin 2013, trajneri Arsène Wenger mendoi se kishte gjetur lojtarin që mund të merrte përsipër rolin e Henryt, por gjërat nuk shkuan siç pritej.

Në gusht të vitit 2013, Arsenali nënshkroi me sulmuesin Yaya Sanogo një kontratë afatgjatë, pasi ai kishte shënuar 10 gola në 13 ndeshje në Ligue 2 me Auxerre sezonin e kaluar. Sulmuesi i ri francez madje u nominua për çmimin ‘Golden Boy” 2013, dhe Wenger foli për të si një yll të së ardhmes.

Pas zyrtarizimit të transferimit të tij, trajneri francez deklaroi: “Ai ka treguar se ka potencial me paraqitjet e tij të fundit për Auxerre dhe gjithashtu për ekipin kombëtar U-20 të Francës. Po presim me padurim që Yaya t’i bashkohet skuadrës dhe të vazhdojë zhvillimin e tij premtues. Ai ka një të ardhme të madhe këtu, natyrisht”.

Sanogo debutoi me Arsenalin në gusht 2013 dhe luajti në disa ndeshje të rëndësishme për klubin, por nuk arriti të shënojë asnjë gol në 14 paraqitjet e tij të para. Iu desh deri në nëntor 2014 për të shënuar golin e tij të parë dhe të vetmin me Arsenalin, në një fitore 2-0 ndaj Borussia Dortmund në fazën e grupeve të Champions League.

Francezi luajti ndeshjen e tij të fundit për Arsenalin në janar 2015, kur u huazua te Crystal Palace. Ai shënoi një gol në FA Cup, por nuk arriti të gjejë rrjetën në asnjë nga 10 paraqitjet e tij në Premier League.

Pas periudhave të huazimit te Ajax dhe Charlton, Sanogo u lirua nga Arsenali në verën e vitit 2017. Ai më pas u rikthye në Francë për të nënshkruar me Toulouse në Ligue 1, ku pati një sezon të parë të mirë me 9 gola në të gjitha garat.

Megjithatë, nuk arriti të përsëriste suksesin në dy sezonet e ardhshme, përpara se të kalonte në një periudhë të shkurtër e të pasuksesshme te Huddersfield Town në sezonin 2020/21.

sfidanti.al