Chelsea më në fund ka siguruar shërbimet e Dastan Satpaev. Klubi londinez e kishte vëzhguar prej kohësh sulmuesin e lindur në vitin 2008, duke e konsideruar atë si një nga talentet më premtues në qarkullim. Pas një periudhe monitorimi të gjatë, Chelsea vendosi të bëjë lëvizjen finale, duke e mbyllur marrëveshjen për të sjellë lojtarin në Londër. Satpaev, i cili është vetëm 16 vjeç, u ble nga Kairat Almaty, klubi i njohur i Kazakistanit. Marrëveshja u mbyll për rreth 4 milionë euro, duke përfshirë edhe bonuse të ndryshme. Ky transferim përfaqëson një rekord historik për kampionatin kazak, duke u bërë shitja më e shtrenjtë ndonjëherë nga një klub vendas. Kjo tregon qartë potencialin e madh të Satpaev për t’u bërë një futbollist kyç në arenën evropiane. Lojtari do të qëndrojë te Kairat Almaty deri në verën e vitit 2026, kur të mbushë 18 vjeç dhe të jetë i lejuar të transferohet në Angli. Pasi të mbërrijë në Londër, ai do të nënshkruajë një kontratë 5-vjeçare, me opsionin për ta zgjatur edhe me një vit tjetër. Ky është një tjetër investim afatgjatë i Chelseat, i cili prej kohësh ka ndryshuar strategjinë e merkatos, duke u fokusuar te blerjet e lojtarëve të rinj me potencial të lartë.
sfidanti.al