Tirana negocioi për të afruar Nainngolan

Tirana ka shpëtuar mirë nga një skandal që mund ta ngatërronte me çështje penale. Bëhet fjalë për rastin “Naingolan” që po bën bujë në Europë. Qershorin e shkuar kur Tirana po ndërtonte ekipin, në skenë doli edhe një emër i madh si Radja Naingolan. Lojtari, i cili ishte pa skuadër, kërkonte një klub ku të kthehej e të luante futboll. Ish-shoku i tij i skuadrës, Agim Ibraimi, i sapo prezantuar drejtor te bardheblutë e kontaktoi dhe e pyeti nëse ai ishte i gatshëm të luante në Shqipëri. Naingolan ishte parimisht dakord, por kërkesat e tij financiare ishin shumë të larta dhe në këto kushte Tirana u tërhoq dhe nuk vazhdoi më bisedimet për ta afruar në skuadër. Nëse Radjan do ta kishte sot në ekip, padyshim që bardheblutë mund të ishin në qendër të “ciklonit” europian. Agim Ibraimi dhe Radja Naingolan kanë luajtur në të njëjtën skuadër, Kaljarin. Bëhet fjalë për sezonin 2013- 2014. Dyshja ishte pjesë e Serisë A dhe kanë njohje shumë të mirë me njëri-tjetrin. Radja Naingolan është liruar nga burgu, por vazhdon të ndiqet penalisht. Ish-mesfushori i Kagliarit, Romës dhe Interit, si dhe kombëtarja belge, është lënë në arrest shtëpie, i akuzuar për përkatësi në një organizatë kriminale si pjesë e një hetimi për trafikun ndërkombëtar të drogës. Pavarësisht kësaj, ai u lirua me kusht, pasi u dëgjua nga një gjyqtar hetues pasditen e së martës, por nuk mund të largohet nga vendi. Sipas avokatëve të tij, Mounir dhe Omar Souidi, Naingolan nuk u mor në pyetje për trafik droge, por vetëm për shuma parash që ai dyshohet se ua dorëzonte njerëzve që njihte. Ata sqaruan gjithashtu se lojtari nuk është akuzuar për pastrim parash.

sfidanti.al