Apolonia pa lojtarin më të mirë për dy javë

Erald Maksuti e ka humbur edhe ndeshjen e kësaj jave me Erzenin. Alarmi për një mungesë të gjatë të sulmuesit dhe golashënuesit më të mirë të skuadrës fierake me 9 gola ka rënë, por aktualisht është i pamundur. 20-vjeçari ka pësuar një çarje ligamenti në gju para ndeshjes me Valbonën dhe pas kontrolleve të detajuara që ka zhvilluar dje, i takon të qëndrojë dhe dy javë të tjera jashtë. Shkodrani që luan si sulmues krahu tek Apolonia, u dëmtua dy ditë para ndeshjes me Valbonën dhe u pa të dilte nga fusha me ndihmën e stafit mjekësor, pasi e kishte të vështirë të vendoste këmbën në tokë. Një situatë që solli panik në radhët e Apolonisë, duke krijuar idenë se bëhej fjalë për një dëmtim serioz dhe një kohë të gjatë rikuperimi. Frika fillestare lidhej me dëmtim të tendinës, por dje Maksuti ka bërë ekzaminimet përkatëse që kanë nxjerrë vetëm një çarje ligamenti në gju. Gjithsesi, sulmuesit i duhen të paktën dhe dy javë kohë, çka do të thotë se ai ka humbur ndeshjen e së shtunës me Erzenin dhe me shumë mundësi edhe me Pogradecin. Erald Maksuti është një nga lojtarët më premtues, ndaj edhe stafi teknik dëshiron që ta ketë gati sa më parë, duke ditur që sezoni ka hyrë tashmë në një fazë mjaft delikate. Klubi nuk do të nxitohet për rikthimin e Maksutin, sepse mund të rrezikohet për një mungesë më të gjatë. Vendin e tij ndaj Korabit e mori Fabricjo Çulli, mesfushori që edhe pse vinte nga një kohë e gjatë pa luajtur, u paraqit mjaft mirë. Ndaj dibranëve u vu re se Apolonia kishte sërish një stol të reduktuar me lojtarë.

sfidanti.al