Në koleksionin e sendeve personale të Sven-Göran Eriksson, të vëna në ankand nga familja e tij, përfshihen edhe medaljet e fituara me Lazion (ato të titullit kampion dhe të Kupës së Italisë). Me një çmim fillestar prej vetëm 9 eurosh (siç është caktuar nga shtëpia e ankandeve), kushdo mund t’i bëjë të vetat, për aq kohë sa nuk ka një ofertë më të lartë. Pothuajse gjithçka është nxjerrë në shitje për një arsye të thjeshtë: nevojiten para, dhe shumë, për të mbuluar borxhet e shumta që ish-trajneri ka lënë pas dhe për të cilat nuk ishte as në dijeni. Shuma arrin në rreth katër milionë euro, të akumuluara edhe për shkak të një mashtrimi të kryer nga ish-agjenti i tij financiar. Vetëm një pjesë e kësaj borxhi mund të shlyhet duke shitur pasuri të tjera që janë pjesë e pronësisë së tij. Tani është koha për të mbledhur fonde. Eriksson e pranoi vetë në vitin 2017 se nuk kishte kushtuar vëmendjen e duhur menaxhimit të financave të tij. “Nuk kam ide sa para kam dhe ku ndodhen,” – ishte fraza që shpjegon sesi ai u bë viktimë e njerëzve që vepruan në hije duke manipuluar fondet e tij. Vdekja e ish-trajnerit, i cili ndërroi jetë në moshën 76-vjeçare nga kanceri në pankreas, nxori në dritë të gjitha problemet financiare. Hetimi i fundit nga Agjencia Suedeze e Tatimeve përforcoi krizën, duke çuar në vendimin për të shitur pasurinë e tij luksoze pranë liqenit, ku kaloi vitet e fundit të jetës, për një çmim rreth 2 milionë euro. Dhe ky është vetëm fillimi.
sfidanti.al