Asllani, Inter e cilëson të rëndësishëm për të ardhmen

Pritja për të paska qenë e gjatë. Kristian Asllani ende nuk po stabilizohet tek Interi, në mos si lojtar formacioni, të paktën për një pjesë loje, por gjithsesi drejtuesit dhe trajneri Simone Inzagi nuk e kanë humbur vlerësimin. Pasi luajti diçka më shumë se 20 minuta në ndeshjen e fundit në Serinë A, Inter-Parma, mediat italiane shkruajtën se shqiptari mbetet fort në planet e zikaltërve, përtej zërave për një transferim të mundshëm, apo një pakënaqësie për shkak se po luan pak. Sipas mediave në Apenine, Interi nuk ka absolutisht asnjë synim që të mbetet pa mesfushorin 22-vjeçar verën që vjen, edhe pse ai ka luajtur vetëm 251 minuta në kampionat këtë sezon, duke u aktivizuar në vetëm 7 nga 14 ndeshjet. Me një vlerë kartoni prej 18 milionë eurosh, Asllani shihet si i rëndësishëm për të ardhmen. Natyrisht, pritja mbetet e vështirë, pasi shqiptari shpresoi të fitonte vendin e lënë bosh nga Marcel Brozoviç, por aty po luan Hakan Çalhanoglu. Turku është 30 vjeç dhe mbetet në formë, ndonëse vitet do të kalojnë shpejt dhe Asllani shihet si pasardhësi natyral. Një ndeshje më parë, në Verona-Inter, shqiptari shërbeu asist dhe luajti 90 minuta, një tjetër shenjë besimi e trajnerit Inzagi, ndonëse ai nuk kishte qenë fare në fushë në 7 sfida radhazi në Serinë A, pesë herë në stol e dy herë I dëmtuar.

sfidanti.al