Shumë specialistë janë të mendimit se, mbas ndeshjes së fundit për kampion bote mes Vladimir Kliçkos dhe Entoni Xhoshuas, përfundoi epoka e dominimit të vëllezërve Kliçko në boksin botëror. E ardhmja duket qartë se u përket boksierëve të tjerë dhe këtë listë elitare, sigurisht, që e kryeson britaniku Entoni Xhoshua që zotëron, tani, tre tituj kampioni botë në peshën e rëndë, në versionet WBA, IBF dhe IBO. Në “llogarinë” e Xhoshuas, kampion olimpik, më 2012, në Londër, në ringun profesionist, janë 19 fitore në 19 ndeshje, të gjitha me nokaut. Bokseri ukrainas, 41 vjeç, sidoqoftë, megjithë humbjen, nuk e përjashton një ndeshje revansh, pasi në kontratën përkatëse për ndeshjen mes tij dhe Xhoshuas figuron edhe një klauzolë që e lë të hapur mundësinë e revanshit.
Aktori i njohur i Hollivudit dhe miku i madh i vëllezërve Kliçko, Arnold Shvarceneger, shpreh shpresën se ndeshja revansh do të zhvillohet. “Kjo ishtë një nga ndeshjet më atraktive që unë kam parë, ndonjëherë. E përshëndes Entoni Xhoshuan për fitoren ndaj Vladimir Kliçkos. Shpresoj te ndeshja revansh”, tha aktori trupmadh hollivudian. Padyshim që miliona njerëz në botë do ta shihnin me kënaqësi të madhe një ndeshje tjetër Xhoshua-Kliçko, por, sidoqoftë, ngjall dyshime, nëse ia vlen një ndeshje tjetër e tillë? A i duhet Kliçkos që, tanimë, ka hyrë në dhjetëvjeçarin e pestë të jetës së tij, që ta rrezikojë, edhe një herë tjetër, kaq shumë shëndetin e tij? Kështu që mund të thuhet se epoka e vëllezërve Kliçko që e dominuan botën e boksit mëse 20 vite, përfundoi. Ata janë boksierë të mëdhenj. Sfidanti.al