Në këto dy ditë të mbetura përgatitjesh për ndeshjen me Skënderbeun, trajneri Ilir Daja do të vendosë përfundimisht për lojtarët që do të zëvendësojnë ata që mungojnë për Dinamon këtë fundjavë. Nuk janë pak në fakt dhe situata nuk është komode për kryeqytetasit, edhe pse ata kanë një organikë të pasur. Disa mungesa për shkak dëmtimesh kanë qenë edhe më parë, ndërsa ato që peshojnë më shumë në këtë moment janë Dejvi Bregu dhe Naser Aliji. Të dy këta lojtarë kanë treguar një formë shumë të mirë javët e fundit, duke qenë të rëndësishëm për Dinamon, ndaj dhe në kampin blu ka keqardhje. Bregu nuk do të jetë i gatshëm për skuadrën me shumë gjasa deri në fund të vitit, pasi ka kryer një operacion në gishtin që theu në derbin me Partizanin. Për Alijin ka një shqetësim muskulor dhe nuk duket ndonjë dëmtim serioz, por ish-lojtari i Kombëtares e ka humbur transfertën me Skënderbeun, sepse këto ditë ka bërë vetëm terapi.
sfidanti.al