Elez Gjoza është rizgjedhur në krye të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes duke u bërë kështu njeriu më influent i sportit elitar të shqiptarëve në 30 vitet e fundit. Duam apo nuk duam, kjo është e vërteta: Dështimi në sport dhe rezultate përkthehet në sukses për drejtuesit. Raport i zhdrejtë por rutinë pothuajse për çdo federatë që luan pisët në zyra dhe kutitë e votimit duke shkarkuar e ngarkuar në këshillat votues e drejtues, njerëz edhe më pa integritet, vetëm e vetëm për të siguruar votën. E keqja duket se është shpërndarë në mënyrë kapilare në të gjithë sistemin dhe nuk ka të ndalur. Tre vite më parë, Elezi u rikthye në mënyrë prepotente në krye të federatës që e katandisi në një repart qokash e skandalesh.
Udhëtimet e Gjozës në sediljet që u takonin mjekëve apo trajnerëve në vendet më ekzotike të globit, skandali i dopingut që fshiu një gjeneratë të tërë pëshëngritësish dhe shumë e shumë bëma të tjera, nuk mjaftuan për ta shpallur “non grata” nga ky sport njeriun pelivan të politikës së nëndheshme që e katapultoi në kolltukun komod të shtangës kuqezi. Me rikthimin e tij, Gjoza arriti edhe një rekord tjetër pasi për herë të parë pas shumë dekadash, Shqipëria nuk u përfaqësua në olimpiadë me minimalisht një sportist, por si për ironi, ai u shpërblye sërish për punën e mosbërë, madje më keq, për punën e zhbërë. Cili është rekordi që do të thyejë në mandatin e radhës ky njeri që pesha në pedan nuk ngre, por zemrat e mbështetësve të tij me siguri i mban në ajër?
Nga Pirro Bardhyli