Futbollisti kosovar “braktis” Austrinë për Kosovën

Mesfushori mbrojtës i skuadrës austriake SCR Altach, Vesel Demaku, ka vendosur të luajë për Kosovën. Ish-anëtari i Kombëtares U21 të Austrisë, të hënën ka qëndruar në selinë e FFK-së, ku është takuar me presidentin Agim Ademi, drejtorin e Kombëtares, Muharrem Sahiti dhe menaxherin e Kombëtares, Bajram Shala. Me këtë rast, Demaku ka theksuar se, menjëherë, pasi ka marrë konfirmimin nga shteti austriak për dyshtetësi, pa hezitim e me zemër ka vendosur që të luajë për Kosovën dhe të japë kontributin e tij në fanellën dardane. Presidenti Ademi e vlerësoi vendimin e Demakut dhe e përgëzoi për përkushtimin e tij për t’i kontribuar atdheut. Ai tha se lojtar me potencial si Vesel Demaku janë gjithmonë të mirëseardhur në Kombëtaren e Kosovës. Demaku gjatë këtij edicioni ka zhvilluar 10 ndeshje në Bundesligën e Austrisë dhe ka lënë gjurmë me lojën e tij në fushën e blertë dhe pa dyshim do të jetë një vlerë shtesë për Kombëtaren e Kosovës.

 

sfidanti.al