Prapaskena e Juve-Lazio: fjalimi karizmatik i Di Gregorio në pushim

Michele Di Gregorio u kërkua me ngulm nga Thiago Motta si portieri i ri i Juventusit. Ish-portieri i Monza-s po e shpërblen me paraqitje të shkëlqyera dhe një mbrojtje të pakalueshme, falë edhe ndihmës së kolegëve të repartit. Por portieri, i cili ka fituar edhe fanellën e kombëtares italiane, ka treguar se tashmë është një pikë referimi për shokët e tij të skuadrës, dhe ndeshja kundër Lazios e ka theksuar edhe më shumë këtë gjë. Juventus-Lazio ishte një ndeshje shumë e bllokuar dhe e ndikuar nga kartoni i kuq i Romagnolit në mes të pjesës së parë. Deri në atë moment, biancocelesti ishin në kontroll të lojës dhe Juventus kishte vështirësi në ndërtimin e aksioneve. Kartoni i kuq ndryshoi gjithçka, por bardhezinjtë vazhdonin të mos gjenin hapësira dhe mundësi për lojë. Di Gregorio, gjatë pushimit të ndeshjes, mori situatën në dorë. Llogaria zyrtare e Juventusit publikoi një video ku shihet Di Gregorio duke motivuar shokët e skuadrës me një fjalim që pasqyron analizën e Thiago Mottës të bërë në dhomat e zhveshjes: “Nuk ka gjëra të lehta. Luajmë bashkë, luftojmë për topin. Misteri ka të drejtë, duhet të shënojmë, duhet të dominojmë.” Fjalë prej lideri, por gjithashtu një qëndrim i papritur duke qenë se ka ardhur te bardhezinjtë vetëm prej pak muajsh. Një anë e re për portierin e Juventusit.

sfidanti.al