Drejtuesit e Real Madrid, por edhe tifozët e galaktikëve duket se janë të zhgënjyer nga niveli i performancës së Kylian Mbappe dhe ndiejnë keqardhje për nënshkrimin e tij këtë verë. Mbappe, i cili u transferua nga PSG pa kosto, ka shënuar shtatë gola në 11 ndeshje, por klubi nuk është i kënaqur me paraqitjet e tij dhe me ndikimin e tij në dhomën e zhveshjes. Kritikët theksojnë se, pavarësisht statistikave, Mbappé nuk ka treguar nivelin e zakonshëm të energjisë dhe ndikimit në fushë, diçka që është vënë re veçanërisht pas mungesës së një parapërgatitjeje të plotë para-sezonale. Kjo situatë duket se është vënë re edhe nga vetë Francezi që që në javët e fundit ka shfaqur përkushtim për të përmirësuar gjendjen e tij fizike. Ai vendosi të qëndrojë në Madrid gjatë pushimit ndërkombëtar për të punuar më shumë me trajnerin fizik të ekipit, Antonio Pintus. Kjo është vlerësuar edhe nga trajneri Carlo Ancelloti. “Mbappe ka përfituar nga kjo pauzë për të përmirësuar gjendjen e tij, është shumë mirë… i lumtur dhe i etur për të luajtur. Këto 15 ditë e kanë ndihmuar shumë, sepse ai është një lojtar ndryshe nga ai para pushimit”, është shprehur trajneri i galaktikëve. Gjithashtu, gjatë kësaj kohe Mbappe është përballur me akuza për përdhunim në Suedi, të cilat ai i ka mohuar. Gazeta suedeze Expressen ka raportuar se policia po heton Mbappe për një incident të ndodhur në Bank Hotel në Stokholm më 10 tetor. Ndërkohë, Mbappe i ka quajtur këto raportime si “lajme të rreme”. Ngjarja që përfshin Mbappe ka tërhequr vëmendje për shkak të aktiviteteve të tij jashtë fushe, përfshirë organizimin e “festave private” në një klub të njohur në Stokholm.
sfidanti.al