Pak kohë mbas vdekjes së ish futbollistit Toto Schillaci, i biri ka bërë një reagim në rrjetet sociale, ku shpreh mallin dhe mungesën që ai ka lënë në jetën e tij. Në një rrëfim të sinqertë ai shpreh momentet e fundit të përjetuara me të atin dhe disa kujtime nga mardhënja e ngushtë që ata kishin.
“Përshëndetje baba, mora pak kohë para se të të shkruaj… zbrazëtia që ke lënë është e madhe. Të gjithë të kanë njohur si heroin e netëve magjike, por për fat të keq për ta askush nuk të ka njohur si baba. Ti ke qenë dhe do të jesh përgjithmonë shoku im më i mirë. Ti ishe shembulli më i bukur, superheroi që të gjithë fëmijët ëndërronin kur mbyllnin sytë. Papritmas u largove kështu, si bëje gjithnjë: duke befasuar, pa paralajmërim”. Kështu ka shkruar Mattia Schillaci, djali i Totò Schillaci në një postim në Instagram ditën e funeralit të ish-sulmuesit të kombëtares italiane.
Një gur në zemër, në shpirt, një thikë në gjoks, një plagë e madhe, dhe shenjat do të mbeten përgjithmonë. Do të të mbaj gjithmonë në zemrën time, atë zemër që është përgjysmuar tani që je larg meje. Asnjë nuk mund ta thyejë lidhjen tonë, të krijuar nga dashuria, sinqeriteti dhe zemërimi: dy shoqërues që udhëtuan së bashku, nga dita që më solle në botë deri në ditën kur më le. Gjaku yt do të rrjedhë gjithmonë në venat e mia dhe prania jote do të jetë konstante, e përsëritur, e fiksuar në jetën time”, vijon letra e hapur.
Një rrëfim i sinqertë i përjetimeve të fundit me të atin lëngues: “Ditët e fundit të kaluara së bashku të bënë më të dobët dhe më të brishtë, fizikisht dhe emocionalisht. Ai bastard të kapi dhe të mbyti; ai ndoshta ishte një fans më i madh se shumë të tjerë, aq sa nuk të braktisi deri sa në fund. Çfarë t’i bësh? Më thoshe gjithmonë, ndonjëherë, këta fansa të masakronin, por ky ishte vërtet mbytës. Por ti luftove si luan, zemra jote ishte e çeliktë, ishe i lidhur me jetën. Kështu më tha ajo doktoresha me sy të kaltër, në atë repart, në ditët e fundit. Ti linde duke luftuar e ike në të njëjtën mënyrë. Ndoshta fitoi ai, ndoshta… sepse në realitet nuk është kështu: ne do të jemi gjithnjë bashkë, kudo që të jesh”, rrëfeu djali i Toto Schillaci.
sfidanti.al