Vinicius Juinior ka qenë protagonist në të mirë e në të keq në fitoren 0-2 të Realit në “San Sebastian” kundër Sociedadit, të shtunën në mbrëmje. Ndonëse nuk ka bërë një paraqitje të mirë, braziliani ka shënuar një gol dhe ka fituar penalltinë në golin e dytë të shënuar nga Mbape. Por jo gjithçka ka shkuar mirë për sulmuesin. Momenti kulmor ka qenë ai i golit të parë të Realit shënuar prej vetë atij. Vinicius ka kthyer në gol penalltinë e fituar nga Arda Gyler dhe më pas është kapur me tifozët e Sociedadit gjatë festimeve. Ai ia kë bërë me shenjë të mbyllin gojën, gjë që ka acaruar dhe më shumë ata. Vinicius ka vazhduar duke u kapur gjatë gjithë takimit me tifozërinë vendëse dhe një gjë e tillë ka ngjallur jo pak diskutime në Spanjë. Ish-lojtari i Realit, Predrag Mijatoviç, e ka kritikuar ashpër sjelljen e Viniciusit. “Vini mund të shmangte fare mirë përplasjet me tifozët e Sociedadit. Me veprimet e tij, ai vetëm po e dëmton veten me sjelljen e tij. Mendoj se ai duhet të bëjë një hap pas, duhet të qetësohet. Të them të drejtën ishte mjaft i gëzuar në momentin kur ai shënoi, por më pas festimi i tij më la një shije aspak të mirë. Nuk e di pse duhet të reagojë ashtu. Kujt i shërben i gjithë ai tension. Të gjithë e duam Vinin, por ai po e tepron me sjelljen e tij dhe kjo është zhgënjyese”, tha Mijatoviç pas fitores së Realit.
sfidanti.al