Fitorja me Ukrainën është një kujtim i largët sepse sot Shqipëria është kthyer në pikën zero. Ka nga ata që me vështirësi i gëlltisin elozhet që bënë 4 ditë më parë në adresë të kuqezinjve sepse humbja me Gjeorgjinë ka lënë një shije shumë të keqe. Disfata e Tiranës tregon edhe një herë se sa e brishtë është një skuadër pa shumë eksperiencë dhe histori të dominuar nga dështimet, e cila papritur është e detyruar të bëjë llogaritë me ekipe konkurruese në një grup ku nuk ka ekipe më të dobëta por rivalë që mund të të turpërojnë në çdo moment. Gjeorgjia mund të ishte sot pikërisht një “Shqipëri” dhe në shumë detaje të rrugëtimit të saj mund të ngjajë me historinë e skuadrës së Sylvinho-s por jo, ndarjen nga ne Gjeorgjia modeste e bëri qysh në europian.
Ekipi modest i Sanjol mbetet i tillë edhe në sjellje dhe këtu është ndryshimi me kuqezinjtë. Gjeorgjia edhe pse me një skuadër më të dobët në letër, zhvilloi një europian më dinjitoz e madje siguroi që në pjesëmarrjen e parë një kualifikim historik në 1/8-at. Në krahun tjetër, Shipëria nuk arriti të linte gjurmë e mbytur nga euforia dhe një ndeshje për t’u harruar ndaj Spanjës në fundin e aventurës europiane. Kjo është diferenca sot mes dy skuadrave, jo në fushë por në kokën e lojtarëve pasi gjeorgjianët nuk e mendojnë asnjëherë që janë heronjtë e njerëzve të tyre, shqiptarët po.
Nga Pirro Bardhyli