Douglas Costa bëhet ambasador i faqes së “nxehtë”

Faqja e njohur për përmbajtje erotike dhe pornografike, “OnlyFans”, ka zgjeruar përpjekjet e saj për të diversifikuar përmbajtjen dhe për të rivalizuar rrjetet sociale të tjera si YouTube dhe TikTok. Një nga lëvizjet më të fundit në këtë drejtim është rekrutimi i personazheve të famshëm, përfshirë këngëtarë, aktorë dhe tani edhe futbollistë. Një nga emrat më të njohur që ka pranuar të bashkohet me platformën është Douglas Costa, ish-futbollisti i Juventusit dhe aktualisht pjesë e Sidnej FC në Australi. Costa ka shpallur se ka hapur një kanal në “OnlyFans” dhe do të publikojë materiale ekskluzive për fansat e tij. Në një deklaratë për mediat, Douglas Costa shpjegoi arsyet e zgjedhjes së tij për t’u bashkuar me “OnlyFans”. Ai theksoi besueshmërinë e kompanisë dhe potencialin e saj për të ofruar përmbajtje interesante për fansat.

“Kam vendosur t’i bashkohem ‘OnlyFans’ pasi jam i bindur për besueshmërinë e kompanisë dhe potencialin e saj. Kjo zgjedhje ka gjithçka që duhet për të qenë interesante. Kjo faqe kërkon atletë që të jenë ambasadorë të markës dhe kjo ka një impakt të madh në treg. Për këtë arsye jam më shumë se i lumtur që bëhem pjesë, sidomos si një prej pionierëve në segmentin e futbollit,” tha Costa. Pjesëmarrja e Costa në platformën “OnlyFans” është një hap i rëndësishëm për faqe që synon të zgjasë përmbajtjen e saj përtej asaj që lidhet tradicionalisht me përmbajtjen erotike dhe pornografike. Me emra të njohur që po i bashkohen kësaj platforme, “OnlyFans” po mundohet të krijojë një gamë më të gjerë përmbajtjesh dhe të tërheqë audienca të ndryshme.

sfidanti.al