“Kur nuk ke çfarë t’i bësh gomarit, i bie samarit”. Dritan Mehmeti duhet ta dijë shumë mirë këtë shprehje teksa provoi shkarkimin për të disatën herë nga stoli i Dinamos edhe pse ky mund të mos quhet rast i përsëritur duke marrë parasysh faktin se së fundmi është shkarkuar nga drejtuesit e një klubi me emër tjetër, Dinamo City. Nëse vetëm pak muaj më parë Mehmeti ishte “shpëtimtari” i skuadrës blu, sot ai është “i dështuari” më i madh sipas drejtuesve që pas vetëm dy ndeshjeve i treguan derën.
A është vallë e mundur që për vetëm 180 minuta edhe “eksperti më i stërvitur” të dalë në një përfundim rreth punës që ka bërë një trajner gjatë gjithë verës? A e kishte kohën Mehmeti për të punuar i qetë dhe larg presionit me skuadrën? Detaje që me siguri askush nuk i ka marrë parasysh sepse me siguri, në këto kohë të turbullta të futbollit shqiptar, nga kriza e identitetit klubet mund të dalin vetëm me një emër të huaj në stol.
Nga Pirro Bardhyli