Kategoria Superiore, sinjale konfirmimi nga Egnatia

Ka përfunduar java e dytë e “Abissnet Superiore” me një konfirmim të madh. Kampionët në fuqi të Egnatias, mposhtin Laçin në shtëpi 1-0 dhe pas këtij suksesi ngjiten të vetëm në krye të renditjes, me pikë të plota (6) pas 2 ndeshjeve të luajtura. Klasikja e futbollit shqiptar, Vllaznia-Tirana dhuron spektakël dhe gola, por jo fitues. Mbyllet 2-2 në “Loro Boriçi” një ndeshje plot emocione. Partizani mposht Skënderbeun 2-1 në limitet e kohës së rregullt dhe merr fitoren e parë sezonale në kampionat. Bylisi mund 1-0 Dinamon në një ndeshje që ka gjithçka. Një fund dramatik në “Adush Muça”, pasi Dinamo humbet një penallti në kohën shtesë dhe më pas mallakastriotët shënojnë golin e fitores, duke siguruar tre pikët e para në këtë sezon të “Abissnet Superiore”. Koha e keqe ndikon në praninë e tifozëve në “Elbasan Arena”, por nuk prish festën e verdhebluve, që mposhtin pastër 3-0 Teutën dhe marrin fitoren e parë në elitën e futbollit shqiptar (si AF Elbasani).

sfidanti.al