Nuk është përgjithmonë, edhe pse nga pikëpamja futbollistike është shumë afër asaj. I referohemi kohëzgjatjes së kontratës së re të Cole Palmer, të cilën ai sapo e ka rinovuar me Chelsea. Sipas asaj që raporton The Athletic, anglezi ka zgjatur marrëveshjen me Blues deri në vitin 2033 (afati i mëparshëm ka qenë në vitin 2030)! Një nënshkrim që e lidh sulmuesin me klubin londinez për nëntë sezone: në aspektin futbollistik, një përjetësi. Pothuajse një kontratë “e përhershme”. E nuk është as hera e parë që Chelsea propozon marrëveshje të tilla dhe ja përse.
PALMER RINOVON ME CHELSEA: SKADENCA NË 2033!
Palmer mbërriti në Londër verën e kaluar: Blues e morën atë nga Manchester City, duke paguar 40 milionë paund plus 2.5 milionë bonuse. Një shumë e konsiderueshme, por padyshim e shpenzuar mirë. 22 vjeçari në fakt ka grumbulluar 27 gola dhe 15 asiste në të gjitha garat në sezonin e tij të parë në Stamford Bridge. Një performancë e jashtëzakonshme, e shpërblyer me rinovimin. Megjithëse kontrata e mëparshme kishte një kohëzgjatje prej shtatë vjetësh me një opsion për të tetën (skadonte në 2030, pasi u nënshkrua në 2023), Chelsea vendosi t’i ofrojë atij një zgjatje deri në 2033. Siç u përmend, nëntë sezone në botën e futbollit janë një përjetësi. Megjithatë, nuk është hera e parë që Blues nënshkruajnë marrëveshje jashtëzakonisht afatgjata me lojtarët e tyre. Sipas Calcio e Finanza, strategjia e nënshkrimit të kontratave veçanërisht të gjata në vitet e fundit i ka lejuar Chelsea të reduktojë amortizimin dhe të lehtësojë ndikimin e blerjeve të reja (mjaft të shtrenjta: 1.3 miliardë të shpenzuara në tre vitet e fundit) në buxhet. Një lëvizje për të “përmbajtur” kufizimet e Fair Play Financiar të vendosura nga UEFA.
Institucioni që udhëheq futbollin europian, nga ana tjetër, ndryshoi rregullin kohët e fundit. U prezantua një kufi pesëvjeçar për të amortizuar kostot e transfertave. Kjo nuk do të thotë që lojtarët nuk mund të nënshkruajnë më kontrata më të gjata, por thjesht se llogaritja e kthimit bazohet në një maksimum prej pesë vitesh. Pra, Chelsea do të mund të përfitojë vetëm pjesërisht nga marrëveshja e re… (pothuajse) “pafundësisht).
sfidanti.al