Dënimi i Tiranës, Dinamos dhe Laçit me tre sesione merkatoje të bllokuara vetëm pak ditë përpara fillimit të Kategorisë Superiore, e bën edhe më kaotike situatën në divizionin që mund të konsiderohet edhe si “elitari” i futbollit shqiptar. Fillimisht dështimi me formulën eksperimentale nga e cila nuk është hequr dorë, më pas “shuplaka” që i dha Superiores trajneri Sylvinho i cili nuk mori në Gjermani asnjë lojtar, qoftë edhe për ta vendosur thjesht në vitrinë dhë më pas dështimi spektakolar i skuadrave shqiptare në Europë.
Dhe tani bllokimi i merkatos së tre prej klubeve kryesore, për të mos përmenduar faktin që nuk kemi ende një transmetues zyrtar të sezonit të ri pak ditë përpara fillimit. Situata duket edhe më dramatike për Tiranën në telashe me gjyqësorin për shkak të parregullsive me bilancet disa vite më parë, ndërsa shumë klube të tjerë kanë zhvilluar merkato me “pikatore” për shkak të mungesës së fondeve. Kjo është tabloja e Superiores në prag të një sezoni që parashikohet të jetë më i vështirë se ai që lamë pas.
Nga Pirro Bardhyli