Paris 2024, rekord i frikshëm nga notari kinez

Noti në Lojërat Olimpike është një nga sportet më të ndjekura, pasi shfaqja është e garantuar. E këtë e arriti edhe kinezi Pan Zhanle, kur fitoi medaljen e artë në 100 metra stil i lirë, duke thyer rekordin botëror e duke ulur kohën e mëparshme me 0.4 sekonda. Notari 19-vjeçar përfundoi garën në kohën 46.60 sekonda, përpara notarit australian Kyle Chalmers dhe rumunit David Popovic.

Por suksesi i Zhanle u sfumua pas deklaratave të Brett Hawke. Ish-nënkampioni australian, aktualisht trajner, e konsideron kohën e Pan Zhanle në 100 metra si të jashtëzakonshme dhe të pamundur nga ana njerëzore. “Jam i mërzitur sepse atë rezultat në 100 m stil i lirë, nuk mund ta arrijë askush me një diferencë të tillë trupore”, tha Hawke.

“E kam studiuar këtë sport për tridhjetë vjet dhe kjo shpejtësi nuk është reale. Nuk mund të fitosh ndaj një grupi të tillë notarësh e me një avantazh të tillë, pasi ata janë më të mirët në histori. Njerëzisht është e pamundur”, tha ai pas garës së zhvilluar në Paris. Dëshmia e tij ka bërë xhiron e botës dhe hija e dopingut po duket sërish mbi Kinën. Në prill u zbulua se 23 sportistë nga Kina, rezultuan pozitivë për një substancë të paligjshme, ata u pezulluan nga Agjencia Botërore Anti-Doping, e më shumë se gjysma e tyre mundën të ishin në këto Lojëra Olimpike. E megjithatë emri i kampionit olimpik Zhanle nuk ishte në atë listë të zezë.

sfidanti.al