Enzo Fernández u kthye te Chelsea për t’u përgatitur për sezonin e ri dhe me të mbërritur për turneun parasezonal në Shtetet e Bashkuara, ai u kërkoi falje shokëve të tij të skuadrës për videon e diskutueshme të publikuar pas fitores së Argjentinës në Copa América. Sipas “The Telegraph”, mesfushori 23-vjeçar ka ofruar gjithashtu të bëjë një donacion të rëndësishëm për një bamirësi që lufton diskriminimin. Kujtojmë se pas fitimit të Kupës së Amerikës, ish-lojtari i Benficas ka publikuar një video në rrjetet sociale, ku shfaqen lojtarët argjentinas duke kënduar një këngë raciste dhe homofobike kundër skuadrës franceze. Kapiteni i Bluve, Reece James, dhe mbrojtësi francez, Axel Disasi, janë përfshirë shumë në procesin e dialogut brenda skuadrës për çështjen “Fernandez”. Disasi ishte një nga lojtarët francezë që e bëri “unfollow” Enzon në rrjetet sociale pas incidentit. Francezi Wesley Fofana, qendërmbrojtësi i londinezëve, e përshkroi videon si “racizëm i shfrenuar”.
sfidanti.al