Luiza Gega hedh kritika në drejtim të drejtuesve të delegacionit shqiptar në Olimpiadën e Parisit për simbolet kombëtare. Mbretëresha e atletikës shqiptare, e cila nuk ka udhëtuar ende drejt Parisit për pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike, ka shprehur hapur pakënaqësinë për flamurin që valëvitën sportistët shqiptarë në ceremoninë e hapjes së Olimpiadës, pasi nuk ishte origjinal por imitim kinez. “Ajo që nuk më pëlqeu është se vura re që flamuri ynë nuk ishte siç duhej, shqiponja nuk ishte shqiponja e vërtetë, pra ishte ai imitimi kinez dhe kjo nuk më pëlqeu. Unë të paktën nuk do ta kisha pranuar kurrsesi. Duhet pasur një kujdes shumë i madh kur bëhet fjalë aq më tepër për flamurin, sepse kjo është arsye përse ne shkojmë aty, të prezantojmë kombësinë nga vijmë, ngjyrat e flamurit, etj.”, tha Gega në një intervistë televizive. “Kush e ka përgjegjësinë për këtë flamur? Nuk e kam idenë të them të drejtën, vetëm e vura re nga rrjetet sociale dhe e pashë… sepse e di shumë mirë sesi është shqiponja, qoftë tek kthetrat, qoftë tek sqepi, qoftë tek bishti. Po të kisha qenë flamurmbajtëse, nuk do të kisha pranuar kurrsesi që të parakaloja me një flamur që nuk është i duhuri”, theksoi atletja shqiptare.
sfidanti.al